Në Ministrinë e Brendshme u nënshkrua një marrëveshje mirëkuptimi dyvjeçare me Departamentin e Mbrojtjes Civile të Italisë me qëllim konsolidimin e bashkëpunimit midis sistemeve kombëtare të emergjencave civile si dhe nxitjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të projekteve të përbashkëta.Marrëveshja nga pala italiane është nënshkruar në Itali nga Nënsekretari për Mbrojtjen Civile pranë Këshillit të Ministrave të Italisë Z. Guido Bertolaso, ndërsa nga pala shqiptare u nënshkrua sot nga Zv.ministri i Brendshëm Z. Ferdinand Poni.
Në bazë të kësaj marrëveshjeje palët marrin përsipër:
-Të nxisin zhvillimin e veprimtarive kërkimore të përbashkëta, me synim përmirësimin e aftësive parashikuese, parandaluese, zbutëse dhe të administrimit të rreziqeve.
-Të përcaktojnë dhe të zbatojnë strategji për forcimin institucional të sistemeve kombëtare të Mbrojtjes Civile përmes formimit të personelit.
-Të sigurojnë shkëmbimin e të dhënave dhe të përvojave personale në fushën e Mbrojtjes Civile.
-Të përmirësojnë mekanizmat e bashkëpunimit dhe të asistencës reciproke.
Kjo marrëveshje mirëkuptimi pason një marrëveshje të mëparshme të nënshkruar në Dhjetor të vitit 2007.
Bazuar në këtë Marrëveshje mirëkuptimi programet dhe projektet e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Italisë në fushën e Mbrojtjes Civile do të rregullohen në vijim me marrëveshje teknike midis strukturave përkatëse të të dy vendeve.









