MOI

Fjala e Ministrit të Brendshëm Z. Lulzim Basha në seancën dëgjimore në Komisionin e Sigurisë mbi plotësimin e kritereve shtesë të Komisionit Europian për liberalizimin e vizave. Dt 20.07.2010

Print PDF
Ju falenderoj për ftesën për t'u ndalur me ju mbi çështjet e mbuluara nga Ministria e Brendshme. Falenderoj Komisionin e Sigurisë për mbështetjen ndaj Ministrisë së Brendshme dhe strukturave të saj të varësisë. Shpreh kënaqësinë për praninë për herë të parë në komision të deputetëve të opozitës, duke i uruar mirëseardhjen edhe si koleg deputet edhe si Ministër i Brendshëm dhe i siguroj për bashkëpunimin tim.
Në këtë kuadër nuk mund të lë pa përmendur faktin se dy muaj më parë kur kam qenë i ftuar në këtë komision, ju nuk keni qenë anëtarë të komisionit se mesa duket përkon me kohën kur ju përdornit bojkotin. Këtë e konsideroj si pasurim të komisionit sepse prania e opozitës duhet t'i shërbejë llogaridhënies dhe transparencës, natyrisht kur ajo nuk merret peng, nuk grabitet nga axhenda të ngushta politike apo personale të cilat nuk i shërbejnë publikut.


Unë kam kënaqësinë që jam ftuar këtu për të raportuar mbi tre kriteret e fundit mbi liberalizimin e vizave pas propozimit që Komisioni Europian bëri për liberalizimin e vizave me Shqipërinë.

Herën e fundit që ndodhesha në këtë komision, i nderuar Kryetar dhe të nderuar anëtarë, ju informova mbi hapat e fundit që ishin ndërmarrë nga Ministria e Brendshme në veçanti dhe qeveria shqiptare në tërësi për plotësimin e kritereve të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave.

Ju informova se ishte bindja jonë se jo vetëm puna shkonte në drejtimin e duhur, se Shqipëria kishte bërë  një progres solid, siç ishte raportuar në vijimësi edhe nga raportet zyrtare edhe nga zyrtarët më të lartë të BE si komisionerja Malmstrom dhe komisioneri Fule, se ne prisnim një propozim të Komisionit për heqjen e vizave.

Javë pas paraqitjes time në këtë komision, Komisioni Europian e bëri këtë propozim pozitiv për Shqipërinë duke theksuar progresin e bërë në të gjitha fushat e mbuluara nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave dhe duke i propozuar Parlamentit Europian dhe Këshillit të Ministrave të veprojnë në drejtim të heqjes së vizave për qytetarët shqiptarë pas konstatimit të tre kushteve që Komisioni Europian numëroi po gjatë këtij komunikimi zyrtar.

Cilat ishin këto tre kushte?

Njëri prej këtyre tre kushteve është kusht i ri, i prezantuar për herë të parë Shqipërisë që nga momenti i nisjes së procesit për liberalizimin e vizave dhe është kushti për zhvillimin e një strategjie dhe politikave për riintegrimin e të riatdhesuarve.

Dy kushtet e tjera përbëjnë atë që unë do ta cilësoja si kontroll të vazhdueshmërisë së punës, kanë të bëjnë me forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve të organeve ligjzbatuese në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe zbatimin e kuadrit të ri ligjor përsa i përket konfiskimit të aseteve kriminale.

Javën e kaluar, misioni i fundit i ekspertëve të KE u largua nga Shqipëria  dhe në komunikimin edhe me Kryetarin e Komisionit të Sigurisë Kombëtare dhe ramë dakort që kjo seancë dëgjimore të zhvillohej pas largimit të ekspertëve në mënyrë që çdo komunikim mes meje si Ministër i Brendshëm dhe juve si anëtarë të komisionit të mos vinte si paragjykues, apo t'i paraprinte vizitës së këtyre ekspertëve.

Ne presim vlerësimin zyrtar të ekspertëve dhe të Komisionit për plotësimin e këtyre tre kushteve.  Në takimin që unë kam patur me zyrtarë të lartë  të Komisionit për punët e Brendshme, më është komunikuar se ka një vlerësim pozitiv për hapat që Shqipëria ka hedhur në plotësimin e tre kushteve.

Personalisht jam i bindur se në të tre kushtet ne kemi lëvizur për plotësimin e plotë të detyrimeve por edhe më tej.

Çfarë kam parasysh me këtë?

Në qoftë se në kushtin e parë KE kërkoi zhvillimin e një strategjie dhe të politikave për riintegrimin e të riatdhesuarve, qeveria shqiptare mori masa të cilat sot bëjnë të mundur  zbatimin e plotë të kësaj strategjie dhe planit përkatës të veprimit.

Në mungesë të një strategjie të përditësuar,  një grup i përbashkët ndërministror , nga Ministria e Brendshme, ajo e Punës, Ministria e Arsimit, si dhe të tjera,  bazuar në përvojat më të avancuara  dhe e ndihmuar nga ekspertët e BE-së, si dhe agjencisë Ndërkombëtare të Migracionit, hartoi brenda një kohe rekord një strategji të besueshme për riintegrimin e të riatdhesuarve.

Një strategji e besueshme, sepse në ndryshim nga stretegjitë ekzistuese të disa vendeve të rajonit, ajo u pajis me një plan veprimi, të detajuar, i cili paraqet detyrat për cdo institucion dhe çdo segment kohor.E besueshme sepse për këto detyra u identifikuan dhe u përcaktuan qartë  burimet njerëzore dhe financiare të ngarkuara me zbatimin e çdo veprimi apo operacioni, pjesë e këtij plan veprimi.

Grupi ndërministror i ngritur me urdhër të Kryeministrit, pas aktualizimit të plan veprimit, mori të gjitha masat për të siguruar  që strukturat shtetërore, nga Policia e Kufirit dhe Migracionit,  shërbimet e strehimit social, shëndetësisë,etj,  të vënë  në efektivitet të plotë strukturat e tyre për zbatimin e këtij plan veprimi.

Në momentin që flasim jo vetëm strategjia dhe politikat janë zhvilluar, por në çdo cep të Shqipërisë, postë kufitare, sportel migracioni, në çdo zyrë pune, në sektorët përkatës të shëndetësisë, arsimit, të shërbimit social etj, ka një efektivitet të plotë të nëpunësit të shtetit  përsa i përket politikave të riatdhesimit.


Kontrolli në terren i kësaj që unë ju raportoj sot  ka qenë një nga detyrat kryesore  të misionit të ekspertëve.
Nga informacioni i marrë në mënyrë të ndërthurur, shpreh bindjen se ekspertët e BE do  ta gjejnë këtë kusht plotësisht të përmbushur nga Shqipëria.

Kjo nuk paragjykon se çfarë do të thonë ekspertët, sepse janë ata që do bëjnë raportin dhe është Komisioni Europian që do të paraqesë raportin përpara Këshillit të Ministrave dhe Parlamentit Europoian, por edhe një herë shpreh bindjen se fakti që jo vetëm  hartuam strategjinë  dhe politikat, por i bashkangjitëm një plan realist veprimi dhe vumë në lëvizje të gjithë strukturat  për efektivitetin e plotë të këtij plan veprimi, do të vlerësohet si pozitiv dhe përmbushës nga KE.

Dy kushtet e tjera, kanë të bëjnë me kriteret që duhet të vazhdojnë të përmbushen në vijimësi.

Në ndryshim nga kriteri i parë, këto kritere kanë figuruar gjatë gjithë procesit  të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave.

Në këtë kuadër, dua të siguroj Komisionin e Sigurisë Kombëtare në emër të Ministrisë së Brendshme, duke përsëritur angazhimin e Kryeministrit dhe të gjithë strukturave të tjera,  se në këto dy fusha puna nuk ndalon me heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë, sikundër këto sfida sot përbëjnë rrafshin kryesor të punës jo vëtëm për vendeve që aspirojnë për integrim të plotë në BE , por edhe për vende anëtare prej kohësh të BE, siç janë fqinjët tanë të menjëhershëm, Italia dhe Greqia.

Ajo që kërkohej në këto dy muaj të verës kur strukturat vendimarrëse për arsye të pushimeve nuk kanë qenë në gjendje të përshpejtonë vendimmarrjen,  është të demonstrohet  se Shqipëria dhe institucionet shqiptare nuk kanë ndaluar punën e tyre reformuese, strukturore, institucionale dhe operative në drejtim të përmbushjes së keëtyre kushteve, se ky nuk është një proces i trukuar, por është një proces i vërtetë në bazë të të cilit qëndron një angazhim i përhershëm i institucioneve shqiptare për përmirësimin e mëtejshëm të rekordit tonë në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe për zbatimin efektiv të kuadrit ligjor për konfiskimin e pasurive dhe të aseteve kriminale.

Në këtë kuadër spikasin disa tema kryesore. Së pari pajisja e Policisë së Shtetit dhe organeve të tjera ligjzbatuese me kuadrin e nevojshëm ligjor, burimet e nevojshme njerëzore dhe materiale dhe vënia në efiçencë e këtyre burimeve.

Në një kohë kur ashtu si strukturat e administratës në tërësi edhe strukturat e rendit në veçanti në shumicën dërrmuese u përballën me një ngrirje apo dhe pakësim fondesh apo burimesh njerëzore, qeveria shqiptare alokoi në këta sektorë burime njerëzore dhe financiare të shumfishta.

Në luftën kundër trafikut të qenieve njerëzore, struktura  e ndryshuar e Policisë së Shtetit, e cila përcakton përgjegjësitë e luftës kundër trafikut të qenieve njerëzore, në një strukturë vertikale nga qendra në qarqe, është shtuar me oficerë të policisë të gradave komisar e sipër anembanë vendit ,në 12 drejtori qarqesh dhe në qarqe.

E njëjta gjë ka ndodhur me strukturat e narkotrafikut apo e luftës kundër drogës. Të dyja këto struktura shërbejnë si një strukturë e njehsuar e operacioneve, e cila ndjek një model të konsoliduar të Europës Perëndimore,  të ardhur në Shqipëri përmes asistencës së misionit policor PAMECA

Po kështru drejtoria kupolë e të dyja strukturave,  është përgjegjëse vetëm për krimet e rënda dhe ato të organizuara.

Në kuadrin e forcimit të kapaciteteve të këtyre strukturave, afëtëisë së tyre për të ndërverpruar me struktura të tjera sikurse janë Prokuroria, kemi raportuar para ekspertëve një  axhendë të ngjeshur trajnimesh të përbashkëta ku theksohet edhe njëherë roli drejtues i Prokurorisë në hetimin e këtyre çështjeve, duke  i dhënë në mënyrë të plotë ligjore, përmes ligjit të sapokaluar në parlament, një dimension të përhershëm kësaj çështjeje, nëpërmjet mishërimit në këtë ligj të një neni, i cili e bën të detyrueshëm trajnimin e përbashkët të Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë.

Mund t'ju them me siguri të plotë se ky është një nga hapat që është vlerësuar maksimalisht nga ekspertët, dhe ata që janë të përhershëm këtu qoftë të BE, qoftë të SHBA.

Pse? Sepse demonstruam dy aspekte të rëndësishme në luftën kundër krimit. Aspekti i parë ka të bëjë me vullnetin e ekzekutivit për të vënë të gjitha resurset në dispozicion të hetimit, i cili udhëhiqet nga Prokuroria. Aspekti i dytë ka të bëjë me kapacitetet për t'i shërbyer hetimit në mënyrë sa më profesionale. Në të dyja këto rrafshe është tejkaluar një hendek historik, i lindur apo i zhvilluar, qoftë në rrafshin profesional, qoftë në rrafshe politike i cili e trajtonte domenin e ekzekutivit për hetimin e krimeve si të veçantë nga domeni i Prokurorisë duke kontribuuar kështu në fragmentarizimin të luftës kundër të krimit.

Transplantimi i urdhrit të përbashkët të Ministrit të Brendshëm dhe Prokurores së Përgjithshme i vitit 2008, i Ligjit për Policinë Gjyqësore, hartimi i një kalendari të ngjeshur trajnimesh të përbashkëta, dhënia e të drejtës Prokurorisë për të bashkëvendosur apo të drejtës së vetos përsa i përket lëvizjes së personelit policor të angazhuar në hetime dhe të tjera dispozita të parashikuara në Ligjin për Policinë Gjyqësore janë treguesi më i qartë i vullnetit të kësaj maxhorance, i vullnetit të këtij ekzekutivi, për të ndërmarrë çdo hap, çdo reformë në mënyrë që të rritet efektiviteti i hetimit në veçanti në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Në një kohë që është konstatuar një trefishim i hetimit proaktiv dhe i përdorimit të teknikave speciale të hetimit shpreh bindjen se ekspertët do të vlerësojnë faktin se në këtë periudhë rreptësie financiare anembanë Europës qeveria shqiptare alokoi mjete financiare për zgjerimin  e sistemit të inforrmacionit criminal MEMEX, i cili së shpejti update-ohet në shkallën e tij të dytë Patriark, për paisjen e tij me servera nga më të fuëqishmit, për blerjen e liçensave të reja dhe dhënien akses për këtë system për një personel të trajnuar të Policisë së Shtetit,  sipas një projekti që po mbikqyret nga PAMECA,  në mënyrë që inteligjenca kriminale e mbledhur nga çdo strukturë e policisë të jetë njëherë e përgjithmonë e loguar, e depozituar në një system të besueshëm, sikurse është sistemi MEMEX.

Të gjitha këto çështje janë trajtuar edhe me struktura të tjera të luftës kundër krimit, si të Drejtorisë Përgjithshme për Parandalimin e Pastrimit e Parave, Drejtorisë për Administrimin e Aseteve të Konfiskuara, Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Drejtorisë së Luftës Kundër Krimit të Organizuar, Shërbimit Informativ Kombëtar, Shërbimit Informativ të Ushtrisë dhe Drejtorisë së Marrëdhënieve Juridike në Ministrinë e Drejtësisë.

Nga gjithë informacioni i ardhur nga grupi ndërinstitucional që ndjek plotësimin e kritereve shpreh bindjen se detyrat e përcaktuara nga Komiteti Ndërministror për Liberalizimin e Vizave janë plotësuar edhe nga këto institucione përsa i përket këtij kriteri të dytë.

A bëhet fjalë për një mbarim të punës këtu? Absolutisht jo!

Qëllimi ynë ka qenë të demonstrojmë se puna vazhdon me të njëjtin ritëm dhe me të njëjtin motivim, se nuk ka pakësim as të vullnetit as të mjeteve në dispozicion të strukturave përkatëse, por do të ishte absolutisht naive të thonim se lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit mbaron në Shtator sepse Komisioni do të gjejë kushte të plotësuara.Po kështu do të ishte naive të thonim se ka mbaruar reforma strukturore, apo mbështetja e këtyre strukturave.

Kjo është një punë në vazhdim. Treguesi më i mirë i suksesit këtu janë rezultatet, të cilat tregojnë shumëfishim të luftës kundër krimit sa i përket drogës, trafikut kundër qenieve njerëzore, korrupsionit, pastrimit të parave etj. Treguesit e këtyre muajve që tregojnë një shumëfishim krahasuar edhe me treguesit e 2009-s nga njëra anë janë një lajm i mirë për Ministrinë e Brendshme, për qeverinë shqiptare, për këtë parlament, besoj për gjithë deputetët e pranishëm këtu, por nga ana tjetër dhe e them këtë plotësisht i ndërgjegjshëm, janë edhe një paralajmërim i standartit të ri që është vendosur në luftën kundër krimit, të impaktit që çdo strukturë e angazhuar në këtë luftë nuk pritet asgjë më pak sesa të mbajë dhe të konsolidojë më tej rezultatet e arritura në këtë luftë.

Kaq të qartë ia kemi bërë këtë edhe ekspertëve europianë por edhe në nivelin politik në komunikimin me ta. Hapa të tjerë parashikohen edhe për periudhën Shtator-Dhjetor dhe për vitin 2011 përsa i përket forcimit dhe konsolidimit të mëtejshëm të këtyre strukturave.

Kushti i tretë ka të bëjë me një çështje unike për Shqipërinë. Republika e Shqipërisë mbetet i vetmi vend në Europën Juglindore e cila ka në fuqi një ligj model europian mbi konfiskimin e aseteve kriminale, pavarësisht ose paralelisht me procesin penal.

Ky ligj, parimet e të cilit janë testuar dhe kanë qëndruar në fuqi dhe nga Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut është një vegël e rëndësishme  në luftën kundër krimit të organizuar dhe për fazën e re në të cilën po hyn vendi ynë.


Pas çmontimit të mbi 230 bandave dhe organizatave kriminale, gjatë viteve 2005-2007, fokusi i veprimtarisë së Policisë së Shtetit dhe strukturave të tjera të specializuara ka qenë goditja e pasurisë së këtyre bandave. Kjo është edhe goditja më e rëndë që i bëhet aktivitetit kriminal dhe kontributi më i mirë që i bëhet objektivit strategjik të qeverisë për ta bërë Shqipërinë vend me koston më të lartë dhe përfitimet më të ulta për krimin e organizuar.

Katër ditë pas hyrjes në fuqi të Ligjit për konfiskimin e aseteve, në janar 2010, në Policinë  e Shtetit u ngrit Drejtoria për Gjurmimin e Aseteve Kriminale.

Duke u bazuar mbi përvojën e disa prej vendeve partnere, kjo drejtori nisi bashkërendimin e menjëhershëm me prokurorinë duke bërë të mundur që në më pak se 5 muaj, mbi dhjetë çështje të trajtuara nga Drejtoria e Gjurmimit të Aseteve Kriminale dhe sektori përkatës në Prokurori të finalizoheshin me sukses përsa i përket aspektit procedurial, pesë prej të cilave sot kanë vendime gjykate.

Me qëllim intensifikimin e kësaj veprimtarie, qeveria shqiptare ka dhjetëfishuar burimet e Drejtorisë për Gjurmimin dhe Konfiskimin e Aseteve në Policinë e Shtetit. Në momentin që fjasim 30 oficerë të Policisë së Shtetit në qendër dhe në qarqe janë caktuar si anëtarë të kësaj strukture të re përgjegjëse për gjurmimin e aseteve kriminale. Mbi 300 çështje po kalojnë në rishikimin e kësaj strukture të re dhe nëse 3 oficerë të kualifikuar arritën që në bashkëpunim me prokurinë në jo më shumë se pesë muaj të finalizojnë me sukses deri në vendim gjykate pesë çështje, jam i bindur se shumëfishimi i kësaj strukture në qendër dhe në bazë dhe pajisja me mjetet më moderne e Policisë së Shtetit do të sjellë rezultate të prekshme në këtë objektiv të ri që Shqipëria ka shpallur dhe të cilin po e ndjek me rigorozitet.

Dëshiroj të theksoj edhe njëherë se as lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe për as konfiskimi i aseteve kriminale nuk janë dhe nuk do të mbeten peng i procesit të liberalizimit të vizave.

Ka qenë lufta me sukses kundër këtyre fenomeneve dhe rezultatet e shënuara në këtë luftë që i hapën rrugën dialogut dhe vendimmarrjes politike për t'i ofruar Shqipërisë udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave.

Ka qenë plotësimi rigoroz dhe i vazhdueshëm i këtyre kritereve që solli propozimin pozitiv të Komisionit Europian për heqjen e vizave me Shqipërinë, propozim i cili shpreh bindjen se do të finalizohet në muajin Shtator, për t'i hapur rrugë vendimmarrjes së Këshillit të Ministrave dhe të Parlamentit Europian në muajt që vijojnë, në mënyrë që qytetarët shqiptarë të gëzojnë atë të drejtë dhe t?i gëzohen asaj ëndrre dhe asaj aspirate që jo më shumë se tre, katër apo pesë vjet më parë u dukej e paarritshme, lëvizjes së lirë në vendet e zonës Schengen dhe në vende të tjera të asociuara të BE.


Diskutimi i Ministrit të Brendshëm Z. Lulzim Basha në përgjigje të pyetjeve në seancën dëgjimore me anëtarët e Komisionit të Sigurisë.

Duke falenderuar në veçanti praninë e dy deputetëve që nuk janë anëtarë të Komisionit të Sigurisë Kombëtare dhe duke u përqendruar tek çështja kryesore në diskutim për liberalizimin e vizave, kur thashë kritere shtesë kisha parasysh që këto tre çështje nuk figurojnë në këtë formë në udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave.

Kur thashë që nuk ishte kërkuar një strategji për riintegrimin e të riatdhesuarve, nuk thashë që kjo është një çështje e re për shtetin shqiptar dhe një marrëdhënie e re e shtetit shqiptar me BE, por është hera e parë që kjo çështje prezantohet në një udhërrëfyes teknik të përcaktuar saktë në Komisionin Europian. Megjithatë fakti që ky kriter shtesë, kriter i ri, u paraqit vetëm në Maj dhe që në fakt pati dhe shtete anëtare që dyshuan se koha deri në muajin Korrik do të ishte e mjaftueshme për ta implementuar këtë kriter,  nuk na pengoi aspak që ne në binden time t?i përgjigjemi kësaj kërkese të Komisionit Europian në kohë dhe me cilësi të lartë.

Për dy kriteret e tjera ju thashë që i karakterizoj ato si kritere pune në vazhdimësi. Kanë filluar para procesit të liberalizimit të vizave dhe do të vazhdojnë pas vendimit të shumëpritur për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë. Kur kam parashtruar dy muaj më parë se Shqipëria ka sisteme të cilat janë më të përparuara se vendet që aktualisht kanë përfituar liberalizimin e vizave dhe vende të BE e përsëris këtë me përgjegjësi të plotë.

Po ju jap pak shembuj konkretë. Sistemi i kontrollit të kufijve shqiptarë është tërësisht i integruar në kohë reale me postat kufitare, qendrën e komandës dhe kontrollit dhe me INTERPOL-in në Lion. Tërësisht dixhital, tërësisht i ndërlidhur me sistemin e analizës së informacionit kriminal MEMEX. Në dijeninë time si Ministër i Brendshëm  i stadit aktual të këtyre sistemeve në vendet e Europës Juglindore, por edhe nga deklaratat e partnerëve tanë, qoftë ministra të brendshëm të vendeve anëtare të BE dhe jo tashmë anëtare të reja, por dhe anëtare të vjetra të BE, qoftë drejtues të lartë të policive europiane, duket qartë që Shqipëria ka rekuperuar një hendek historik me primitivizmin e sistemeve me të cilat operonte Policia e Shtetit duke marrë sisteme që janë jo vetëm të krahasueshme por edhe më të përparuara sesa janë aktualisht në operacion në vendet e Europës Perëndimore edhe për faktin se këto sisteme mund të jenë vendosur në vitet 90 etj.

Pra i qëndroj kësaj deklarate, i qëndroj përsa i përket pasaportave biometrike. Deri para një muaji në dijeninë time, pasaporta shqiptare në vlera është pasaporta më superiore, qoftë për dhjetë gishtërinjtë, qoftë për çipin 72 kb, qoftë në sistemin plotësisht të sigurtë dhe tërësisht të mbyllur të kësaj pasaporte.

I qëndroj kësaj deklarate edhe përsa i përket analizës së informacionit kriminal.

Pra, po, e kam deklaruar dhe e përsëris me bindje të plotë, me kënaqësi jo për veten time, as për Ministrinë e Brendshme por në radhë të parë për taksapaguesit shqiptarë dhe për taksapaguesit e vendeve partnere, kryesisht të SHBA dhe BE, se Shqipëria sot ka rekuperuar një pjesë të mirë të hendekut historik përsa i përket mekanizmave në dispozicion të agjencive ligjzbatuese dhe në veçanti Policisë së Shtetit dhe natyrisht sfida mbetet vënia në efiçencë të plotë dhe përdorimi i këtyre sistemeve sa më gjerësisht për mandatin e Policisë së Shtetit dhe agjencive të tjera ligjzbatuese.
Në këtë kuadër jam i kënaqur që bashkëpunimi midis Policisë së Shtetit, Ministrisë së Brendshme, Prokurorisë, Shërbimit Informativ dhe të agjencive të tjera, ka ardhur duke u konsoliduar më tej.

Ushtrimi i liberalizimit të vizave ndonëse në fund ka një çmim të madh për qytetarët shqiptarë që është heqja e vizave ka dhe shumë e shumë leverdi të tjera. Ka përshpejtuar axhendën e reformave strukturore, ka përshpejtuar blerjen dhe axhornimin e platformave në dispozicion të agjencive  tona, ka forcuar ndjenjën e përgjegjësisë për të bashkëpunuar me njëri tjetrin, dhe bashkëpunimin konkret në çështje konkrete.
Në asnjë mënyrë, formë, nuk mund të imagjinohet që katërfishimi i indikatorëve në luftë kundër krimit të organizuar, trefishimi në luftën kundër narkotikëve, fakti që Shqipëria sot përkundrejt disa deklaratave që u bënë këtu shpresoj për mungesë informacioni, regjistron zero, zero persona të trafikuar nëpërmjet territorit shqiptar tranzit, të gjitha këto nuk janë dhe nuk mund të jenë vetëm meritë vetëm e policisë së kufirit, apo vetëm e Policisë së Shtetit.

Janë meritë e një përqasjeje të koordinuar të të gjithë organeve ligjzbatuese. Natyrisht, si në çdo fushë tjetër edhe këtu ka vend për përmirësim, për konsolidim të mëtejshëm.

Më 30 Gusht ne patjetër do të paraqesim një raport të fundit kjo ka qenë praktika edhe me tre vendet e tjera. Një organizatë, me të cilën ju Z. Bushati keni bashkëpunuar para përfshirjes tuaj si deputet, klasifikoi Shqipërinë para disa muajsh më të avancuar në plotësimin e kritereve sesa kur u mor vendimi për Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë. Pra kjo nuk është as dëshirë, as një fantazi e imja është një është një fakt, është një realitet. Nuk më takon mua të komentoj se pse kjo nuk është ndjekur menjëherë me vendimmarrjen e BE.

E rëndësishme është që ne kemi plotësuar detyrat tona. Ne kemi besim te partnerët tanë që dhe ata do të vazhdojnë me vendimmarrjen e tyre, në veçanti me vendimmarrje të vështira që siç e dini nuk janë popullore, siç është heqja e vizave në një kohë kur BE është i përfshirë nga një situatë jo fort e favorshme ekonomike.

Për situatën e sigurisë në vend, ka një ofensivë të pakuptimtë do të thoja nëse qëllimi është të denigrohet Ministri i Brendshëm, apo të denigrohet qeveria, në qoftë se qëllimi është të goditet politikisht, ky është një qëllim legjitim i opozitës.
Por të përpiqesh të denigrosh një arritje të përbashkët siç është Policia e Shtetit, ku sot shërbejnë krah për krah, oficerë të policisë që kanë bindje të majta apo bindje të djathta, kur kjo strukturë drejtohet nga oficerë të policisë që shumë prej jush këtu dhe të tjerë jashtë kësaj salle i njihni si profesionistë prej vitesh me radhë, kjo më duket tërësisht e paarsyeshme. Nuk më shqetëson, ua them me sinqeritet të plotë nuk më shqetëson, sepse është e qartë se çdo sulm i pamotivuar ndaj Policisë së Shtetit i kthehet mbrapsht sulmuesit dhe akuzuesit.

Policia e Shtetit vazhdon të përmbushë mandatin e saj me profesionalitet më të lartë se para një muaji, se para një viti, se para tre vitesh, dhe unë shpresoj që muajin që vjen, se vitin që vjen, të raportoj përsëri para jush, unë apo kushdo tjetër, se Policia e Shtetit ka njohur rritje profesionale, ka njohur rritje të indikatorëve në luftën kundër krimit dhe i shërben mandatit të saj për një ambjent të sigurtë për qytetarët.

Ka një problem, i cili jam i sigurtë se është propagandistik. A e ka realizuar Policia e Shtetit këtë mandat?

Natyrisht në qoftë se Policia e Shtetit e paskësh realizuar këtë mandat nuk mbetet gjë tjetër veçse ta shkrijmë policinë dhe t?i kursejmë shtetit, rrogat e 9700 policëve dhe aparatit të tyre mbështetës. Apo jo?!

Por ky është një mandat i cili ndiqet dita ditës, i cili kërkon përkushtim dhe investime të mëtejshme që policia të bëhet më profesionale, në mënyrë që sfidat me të cilat ndeshet Policia e Shtetit, hapat që hedh krimi qoftë ordiner, qoftë krimi i organizuar ndeshin kurdoherë një mur gjithmonë e më profesional dhe ndeshin në një instrument gjithmonë e më të aftë që nga njëra anë të godasë krimin dhe nga ana tjetër të mbrojë të drejtat dhe liritë e qytetarëve.

Dhe cili është bilanci i kësaj përqasjeje, cili është bilanci I këtij obligimi strategjik veçanërisht përsa i përket luftës kundër krimit të organizuar?

Bilanci është fare i qartë. Shqipëria sot nuk është më një vend tranzit I trafikimit të qenieve njerëzore dhe Shqipëria nuk është një vend domethënës i trafikut të qenieve njerëzore.

Natyrisht që trashëgimia e të kaluarës jo fort të largët ndihet akoma. Prandaj kemi dedikuar burime njerëzore me një objektiv madhor për luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore që është identifikimi dhe rehabilitimi i viktimave të trafikut. Sot në krahasim me dy tre apo pesë vjet përpara, çdo viktimë apo viktimë potenciale identifikohet nëpërmjet mekanizmit kombëtar të referimit dhe trajtohet sipas të gjitha dispozitave ligjore dhe natyrisht nuk mungon aspekti I ndjekjes penale të personave potencialisht përgjegjës për trafikimin e tyre.

Për trafikun e heroines  ju i referoheni shpesh raporteve ndërkombëtare, është mirë t?u referoheni edhe kur ato e lavdërojnë Shqipërinë. Se këto nuk janë lavdërime për ministrin aktual të brendshëm, nuk janë thjesht lavdërime për kryeministrin aktual, janë lavdërime për një strukturë të tërë, as ministri i Brendshëm vetëm, as kryeministri vetëm nuk i arrijnë dot këto gjëra.

Por çfarë bënë masat që morëm?

Bënë që trafiku i heroinës të shmangë brigjet shqiptare, të shmangë Shqipërinë si një vend me kosto të lartë dhe rrisk të lartë biznesi për trafikantët e heroinës dhe përfitime të ulura. Pra mendoj që kemi arritur diçka e cila kërkon në radhë të parë kërkon të paktën një njohje dhe një vlerësim dhe në radhë të dytë një inkurajim pikërisht nga ky komision dhe nga anëtarët e këtij komisioni.

Të arrish që rrugët e heroinës të zhvendosen në jug dhe veri të vendit sepse trafikantët e konsiderojnë Shqipërinë një vend jo të volitshëm,  është një arritje madhore për një vend I cili pesë apo dhjetë vjet më përpara përbënte nyje të trafikut, të narkotrafikut europian.

A ka mbaruar kjo përpjekje? Sigurisht që jo!

Moratoriumi ka dhënë rezultatet e veta për brigjet tona. Moratoriumit i janë bashkëngjitur struktura moderne siç është Qendra Ndërinstitucionale Operacionale Detare në Durrës, e cila bëri të mundur vëzhgimin me teknologjinë më modern të gjithë lëvizjeve detare përgjatë bregut tonë dhe shpeshherë ka kontribuuar dhe në kapjen e ngarkesave që niseshin nga Greqia dhe që fatkeqësisht disa media nën shtyrjen e disa të motivuarve politikisht I cilësonin si trafik shqiptar ndonëse nuk ishte trafik shqiptar.

Pra ne duhet të hapim sytë ndaj këtij realiteti. Duhet të hapim sytë ndaj këtij realiteti dhe të mos bëhemi nihilistë duke mohuar gjithçka të mirë që po arrihet në këtë vend, as sot, as dje, por si rezultat I përpjekjeve të konsoliduara.

Gjej rastin të ju ftoj që të bëheni pjesë e kësaj përpjekjeje. Bëhuni pjesë e kësaj përpjekjeje jo thjesht duke më falenderuar mua personalisht, apo për shpjegimet, por duke më dhënë mbështetje mua dhe qeverisë duke votuar pro akteve ligjore në thelb të të cilave qëndrojnë objektiva të cilat janë të përbashkëta dhe që nuk na ndajnë ne të majtë e të djathtë siç është forcimi i rendit dhe sigurisë, lufta kundër trafiqeve, lufta kundër krimit të organizuar.

A do të thotë kjo se gjithçka është perfekte? Absolutisht jo!

Natyrisht edhe Roma nuk u ndërtua në një ditë. Puna vazhdon. Kemi sfida. Kemi përparuar në luftën kundër krimit të organizuar. Kemi përparuar në gjendjen e kufijve. Kemi përparuar në luftën kundër korrupsionit dhe larjes, pastrimit të parave.

Ju mund të klikoni në internet për të parë qoftë në faqen zyrtare të Agjencisë së Kombeve të Bashkuara, apo në faqen zyrtare të BE dhe të shikoni që Shqipëria renditet nën mesataren e vendeve të BE përsa u takon indikatorëve kryesorë të kriminalitetit, vrasjeve, tentativave për vrasje, grabitjeve me dhunë, plagosjeve, vjedhjeve.

Pra, kemi të bëjmë me një realitet ndryshe nga ai, i cili fatkeqësisht ka disa javë që e shoh që mundohet të injektohet nëpërmjet dy-tre organeve të mediave. Nuk është kështu. Natyrisht që vrasja është e dhimbshme dhe mund ta japësh dhjetë here, mund ta japësh 20 herë në edicion lajmesh, por është një vrasje. Kjo nuk e bën Shqipërinë vend më pak të sigurtë se Greqia, se Mali I Zi, se Serbia, se Kosova, se Maqedonia.
Prandaj në këtë kuadër, në veçanti  në kuadër të sezonit turistik mendoj që të jemi të kujdesshëm dhe të përgjegjshëm.

Çfarë tregon analiza e gjashtëmujorit?

Tregon 7 vrasje më shumë në krahasim me gjashtëmujorin e parë të vitit 2009. Ne këtë e bëmë publike. Nuk e fshehëm këtë shifër. Kemi 7 vrasje më shumë se gjashtëmujori I parë i vitit 2009, po ju themi që kemi kapur 2.7 herë më shumë drogë, po ju themi se kemi pasur rezultate përsa i përket luftës kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe këtu janë të gjitha shifrat.

Kemi pasur 7 vrasje më shumë, pesë prej të cilave për motive xhelozie. Pra kemi një problem që u identifikua edhe këtu që është dhuna në familje, që kërkon një angazhim më të madh të policisë por jo vetëm të policisë. Puna me komunitetin nuk është monopol dhe as detyrim vetëm e policisë. Është detyrë e të gjithëve, duke përfshirë gjithsecilin prej nesh këtu që zgjidhet me votat e komunitetit dhe duke përfshirë dhe strukturat e tjera.

Po çfarë mesazhi japim ne për këtë?

Ne duhet të japim mesazhe të kujdesshme në këtë drejtim. Personalisht gjatë analizës gjashtëmujore kam kërkuar një analizë më të thellë të punës me komunitetin, të punës me kontigjentin kriminal dhe të veprimtarisë informative zbuluese për të parandaluar këto lloj veprash.

Por nga ana tjetër zotërinj, duhet t?i shikoni gjërat ashtu siç janë. Evidentimi i më shumë rasteve kriminale nga policia në vetvete është meritë. Meritë më e madhe është rritja e shkallës së zbulueshmërisë, dhe po të shikoni ky gjashtëmujor ka një rritje të shkallës së zbulueshmërisë.  Edhe për vrasjet janë rritur dhe në vende të tjera. Pra ka një rritje edhe të forcës goditëse të Policisë së Shtetit dhe kjo duhet vlerësuar.

Në analizën tonë pavarësisht debatit politik, betejës politike, të cilën e mirëpres, dhe njëherë ju them se nuk ka kënaqësi më të madhe sesa të shoh sot deputetët e opozitës në këtë komision dhe bëjnë një debat politik, për çdo çështje që dëshironi ju. Sepse ky është vendi I debatit, jo dhe diku tjetër, ky dhe salla plenare janë vendet e debatit. Ndoshta shpeshherë edhe studiot televizive. Këtu duhet ta bëjmë debatin dhe kështu duhet ta bëjmë, secili me faktet dhe opinionet e veta dhe me publikun që vendos.

Përsa i përket temës së kësaj seance dëgjimore t?i bëjmë një pyetje të përbashkët njëri tjetrit dhe vetvetes.

A është realiste të themi sot se kemi indikatorë të përkeqësuar të sigurisë në vend, se lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit vjen në përkeqësim, dërkohë që analiza më e detajuar më e hollësishme e këtyre indikatorëve që po bëhet aktualisht nga ekspertët e BE mund të na çojë brenda një apo dy muajve tek vendimi që qytetarët e këtij vendi të shkojnë pa viza dhe pa asnjë pengesë në zonën Schengen?

Unë mendoj që këtu kemi një mospërputhje logjike. Vendimi që ne presim është vendim që mbështetet në shumë faktorë, por në asnjë faktor më shumë sesa gjendja e përmirësuar e sigurisë në vend dhe rezultatet e luftës kundër krimit dhe korrupsionit. Rezultate të cilat shkojnë përtej vullnetit të shprehur nëpërmjet retorikës qeveritare, rezultate që shprehin nëpërmjet shifrave konkrete, shifra të verifikuara në mënyrë objektive nga partnerët tanë, edhe për ata që mund të dyshojnë statistikat e qeverisë apo të Ministrisë së Brendshme, të cilat qëmtohen dhe verifikohen nga të gjitha misionet këtu në Tiranë apo misionet e tjera në Bruksel apo Uashington.

Kërkesa për të mbështetur misionin paqeruajtës në Afganistan është një kërkesë e marrë nga qeveria shqiptare. Kryeministri ka kthyer një përgjigje pozitive gjatë vizitës së Sekretarit të Përgjithshëm Rasmusen në Tiranë. Ka një fond të posaçëm nga qeveria e Emirateve të Bashkuara dhe ne jemi në process të identifikimit të disa prej oficerëve të policisë të përshtatshëm qoftë sa I përket përvojës dhe po kështu komunikimit të tyre për të dhënë ndihmën tonë në trajnimin dhe forcimin e kapaciteteve të policisë afgane.

Në çdo rast Policia e Shtetit vepron brenda kuadrit ligjor, vë në lëvizje prej kohësh mekanizma të konsoliduar. Për çdo rast që ka pretendime se Policia nuk ka vepruar në bazë të ligjit ndjek lëvizjen e mekanizmave përkatëse në radhë të parë Prokuroria, në radhë të dytë Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm. Kjo vlen për çdo rast.

Përfitoj nga ky rast që t?ju ftoj të mos paragjykojmë asnjë veprim të Policisë së Shtetit para se të dalin rezultatet zyrtare të hetimit. Për çdo rast unë mendoj se duhet të kemi durimin dhe besimin tek strukturat shtetërore. Nuk është vetëm një strukturë, është prokuroria, është SHKB, struktura e mjekësisë ligjore, policisë shkencore. Kemi shumë struktura që koordinojnë mes tyre dhe është e pamundur që këtu të mos arrihet transparenca e plotë ndaj publikut. Është e pavend që pa u dalë në konkluzione prej këtyre institucioneve ne të nxjerim konkluzionet tona, veçanërisht kur bëhet fjalë për veprimtari të Policisë si përgjigje ndaj veprimtarisë kriminale.

Në politikën 20 vjeçare të këtij vendi, pa dashur të hyj në detaje, pa dashur të hyj në ngjarje të muajve të fundit, kemi një traditë që duhet lënë pas. Kjo është tradita e ndërthurjes, apo kërkesës së mbrojtjes, apo kërkesës për të shoqëruar kontigjentin kriminal me politikën.

Ne duhet t'i themi  jo kësaj!

Ne duhet të trajtojmë çdo privilegj, si privilegj të trajtimit që jep ligji, pavarësisht nëse zotëria dëshiron të përdorë simbole partiake, apo pjesëmarrje në aktivitete partiake për të fshehur thelbin e tij dhe të veprimtarisë së tij, dhe këtu ne nuk do të kemi asnjë tolerancë.

Nga ky komision gjej rastin t'ju bëj thirrje për një distancim të plotë nga ata të cilët kanë shkelur ligjin dhe që kërkojnë nëpërmjet pjesëmarrjes në veprimtari politike, apo përdorimit të simboleve politike të krijojnë një koperturë ekstraligjore për veten e tyre.
Në radhë të parë e kanë të kotë sespe ligji do të veprojë siç vepron me çdokënd tjetër, në radhë të dytë kjo nuk sjell asnjë kontribut pozitiv së pari për forcën politike e cila i përdor, i keqpërdor apo keqpërdoret prej tyre.

Për çështjet konkrete. Përsa i përket kufirit që u ngrit nga disa deputetë. Ka dy regjime. Regjimi i postave kufitare që është I axhornuar me praktikën më të mirë të mundur dhe kjo është nga fushat ku mund të them se jemi më mirë se edhe vendet që janë anëtare aktualisht të BE.

Në Strategjinë e Menaxhimit të Integruar të kufijve kontrolli i kufirit të gjelbër ka një rol parësor,  Pajisja e policisë me personelin e nevojshëm dhe mjetet e nevojshme për ta kryer këtë kontroll ka ardhur sipas planifikimit.

A mund të themi ne sot që ky kufi është 100% i padepërtueshëm? Jo! As sot, as mot! Sepse kemi vende shumë të zhvilluara të cilat e kanë të pamundur të garantojnë 100% të paprekur kufirin e gjelbër. Por ajo që unë mund të ju garantoj është që procesi I heqjes së vizave do ta ndihmojë më shumë kontrollin e kufirit të gjelbër, duke lejuar që personeli I kontrollit të kufirit të gjelbër të përqendrohet tashmë në atë veprimtari që u përmend këtu që është kontrabandimi etj, dhe duke u lehtësuar në detyrat aktuale të pengimit të kalimit të paligjshëm të kufirit.

Në momentin e heqjes së vizave, analiza e rriskut për kufirin e gjelbër për thyerjen e tij në mënyrë të paligjshme do të bjerë në qoftë se jo në zero do të shkojë afër zeros, dhe nga shtetas të vendeve të treta dhe jo nga shtetas shqiptarë, sepse tashmë do të jetë më e kollajtë të marin pasaportën biometrike sesa të kalojnë kufirin në mënyrë të paligjshme.

Në këtë kuadër bashkëpunimi me strukturat e tjera, të doganave të Policisë Financiare të shërbimeve të tjera dhe pajisja me teknologjinë moderne sikundër është bërë për kufirin blu, do të bëjë të mundur që kufiri ynë i gjelbër, i cili është një kufi tashmë i sigurtë, të jetë një kufi edhe më i padepërtueshëm për ato lloj shkeljesh që u përmendën këtu.

Vendi ia ka dalë të hiqet nga harta e trafikut të heroinës. Lufta ndaj kanabis sativa ka fituar një dimension të ri. Në fund të vitit do të bëhet analiza e luftës kundër kultivimit. Sasitë e kapura janë sasi të vjetra. Arritjet janë rezultat i një strategjie unaze zjarri, apo unaze hekuri, apo çfarë doni ta quani ju drejt zonave më problematike, e cila ka bërë të mundur uljen drastike të sasisë të transportuar nga Shqipëria drejt brigjeve italiane apo drejt vendeve të BE.

Bashkëpunimi me komunitetin ka qenë shumë kyç. Sipas informacioneve dhe indikatorëve që sjell Policia e Shtetit dhe shërbimet e tjera të cilat koordinojnë veprimtarinë kundër kanabis sativa, duket qartë se kemi të bëjmë me një vit historik sa i përket uljes rekord të kultivimit të kanabis sativa në vendin tonë. Këtu duhet të jemi konkretë dhe të drejtëpërdrejtë me njëri tjetrin. Kjo nuk do të thotë që në Shqipëri nuk do të ketë asnjë rrënjë kanabis sativa të kultivuar, por rënia krahasuar me çdo vit tjetër do të jetë dyshifrore, sa kohë që kultivimi i bimëve narkotike si rezultat i masave shtrënguese ka rënë në nivele historike.

Shpresoj që të kem trajtuar në tërësi çështjet e ngritura këtu, duke qenë i hapur edhe pas kësaj seance për të trajtuar sipas ndjeshmërisë dhe klasifikimit çështje konkrete që shqetësojnë deputetët.

Përsëris ftesën që secili prej jush është i mirëpritur në zyrën e Ministrit të Brendshëm për çdo çështje konkrete.

Ju falenderoj për këtë seancë dëgjimore duke shprehur dëshirën time që të vazhdojmë këtë bashkëpunim të frytshëm me Komisionin e Sigurisë Kombëtare me të gjithë anëtarët e tij, duke shprehur dhe në kuadër të shpifjes së fundit që është në merak të z. Hasa, një dëshirë tjetër si politikan, si anëtar i maxhorancës, që për çështje të mbetura pezull si rezultat i strategjisë së Z. Rama për të hequr përgjegjësinë nga zgjedhjet e 28 qershorit deputetët e opozitës të pranojnë si në rastin që ngritën këtu dhe në rastin e zgjedhjeve vendimet e gjykatave.



 

Lajmet e fundit

(09/03/10) Shqipëria, vend themelues i Akademisë Ndërkombëtare Antikorrupsion. Dt 03.09.2010

Në Vjenë të Austrisë u zhvillua konferenca përuruese e themelimit të Akademisë Ndërkombëtare Antikorrupsion, ku Shqipëria ishte e ftuar si një nga 25 vendet themeluese. -Ky është një vl...
Lexo me teper

(08/28/10) Ministri i Brendshëm Z. Lulzim Basha mori pjesë në Forumin e 10 të Salzburgut. Dt.28.08.2010

Ministri i Brendshëm Z. Lulzim Basha në takimet që ka zhvilluar gjatë Forumit të 10 të Salzburgut në Austri, me disa prej homologëve të vendeve anëtare të Bashkimit Europian ka marë garanc...
Lexo me teper

(08/27/10) 1 milion aplikime për pasaporta biometrike. Dt 27.08.2010

Ministria e Brendshme dëshiron të ju bëjë të ditur se sot u regjistrua aplikimi i njëmiliontë për pasaportë biometrike. Ritmet e aplikimit për pasaporta biometrike kanë tejkaluar edhe paras...
Lexo me teper

(08/26/10) Ministri i Brendshëm Z. Lulzim Basha u takua sot me familjarë të policëve të rënë në detyrë që po kryejnë pushimet në shtëpinë e pushimit të Ministrisë së Brendshme. Dt.26.08.2010

Ministri i Brendshëm Z. Lulzim Basha u takua sot në Durrës me disa familjarë të punonjësve të Policisë së Shtetit të rënë në krye të detyrës të cilët janë duke kryer pushimet në s...
Lexo me teper

(08/26/10) Dekorohet me Medaljen e Mirënjohjes oficeri ndërlidhës britanik Z. Ben Swanson. Ministri Basha vlerëson bashkëpunimin e Policisë së Shtetit me SOCA-n. Dt.26.08.2010.

Ministri i Brendshëm Z. Lulzim Basha mori pjesë sot në ceremoninë e dekorimit me Medaljen e Mirënjohjes nga Presidenti i Republikës të oficerit ndërlidhës britanik në Shqipëri Z. Ben Swanso...
Lexo me teper

Foto Promocionale


Liberalizimi Vizave

Informacione


Telefononi pa pagese
0800 12 12
Raportoni rastet e trafikimit te qenieve njerezore


Denonconi abuzimet nga punonjësit e Policisë së Shtetit:

Zyra e Informacionit dhe Ankesave 0800 90 90 

Kontaktoni:

shkb@moi.gov.al

FAX: +355 42 271 735

Portali Qeveritar i Republikës së Shqipërisë

Kontribuoni


Ndihmë Familjeve të punonjësve të Policisë të rënë në krye të detyrës

LlogariaBankare

Nr.0100404657

RAIFFEISEN BANK