Në vijim të komunikimit të mëparshëm mbi ngjarjen e rëndë të ndodhur në aksin rrugor Fushë Arrës-Durrës, në fshatin Dom, Gjegjan, ku ka dalë nga rruga dhe ka rënë rreth 30 metra poshtë, një autobus me pasagjerë i linjës Fushë Arrës- Durrës, nga të dhënat e deritanishme rezulton se si pasojë e daljes nga rruga të këtij mjeti kanë humbur jetën në Spitalin Ushtarak dhe dy shtetase, përkatësisht:
1. Marie Prenga, rreth 60 vjeç
2. Elona Mustafa, rreth 12 vjeç.
Krahas veprimeve të kryera për dhënien e ndihmës dhe transportimin e të dëmtuarve, nga strukturat e policisë dhe grupi hetimor në vendin e ngjarjes vazhdon puna për zbardhjen e rrethanave dhe të shkakut të këtij aksidenti të rëndë.
Nga hetimet e deritanishme dhe kryerja e ekspertimit auto-teknik të mjetit rezulton se:
- shpejtësia e lëvizjes së mjetit ka qenë brenda normave të lejuara,
- lëvizja është kryer brenda normave të qarkullimit rrugor dhe në kahun e lejuar,
- drejtuesi i mjetit ishte i pajisur me lejen e drejtimit përkatëse dhe kishte një përvojë shumëvjeçare në drejtim.
Grupi hetimor është në pritje të ekspertizës mjeko-ligjore për drejtuesin e mjetit për të përcaktuar gjendjen shëndetësore të tij në momentin e drejtimit të mjetit.
Po ashtu pritet të merren në pyetje dhe të dëmtuarit nga ky aksident (me përmirësimin e gjendjes së tyre shëndetësore), dëshmitë e të cilëve do të hedhin dritë mbi rrethanat e ndodhjes së aksidentit.
Në përfundim të veprimeve të kryera grupi hetimor do të bëjë dhe zbardhjen përfundimtare të shkakut dhe të rrethanave të këtij aksidenti të rëndë.
Trupat e pajetë të 11 viktimave të kësaj ngjarje të rëndë janë transportuar në morgun e qytetit të Pukës. Ndërkohë që në morgun e qytetit të Tiranës gjenden trupat e pajetë të 3 shtetasve të tjerë.
Aktualisht po marrin ndihmën e kualifikuar mjekësore pranë Spitalit Ushtarak 10 të dëmtuar nga ky aksident i rëndë, ndërkohë që 2 shtetas të tjerë po marrin ndihmën mjekësore në spitalin e qytetit të Shkodrës.