Ministri i Brendshëm Z. Lulzim Basha i vlerësoi pozitivisht të gjithë indikatorët e veprimtarisë së Policisë së Shtetit gjatë analizës që u zhvillua për gjashtëmujorin e parë të vitit 2010. Duke theksuar se Policia e Shtetit gjatë këtij gjashtëmujori ka menaxhuar me sukses të gjitha sfidat strukturore, institucionale, integruese, natyrore dhe të papritura, Ministri Basha u shpreh:
-Gjashtëmujori i parë i vitit 2010 do të hyjë në histori si gjashtëmujori më dinamik në historinë e Policisë së Shtetit, me një raport tërësisht të plotësuar të pritshmërive, detyrave dhe vlerës së kthyer qytetarëve dhe taksapaguesve shqiptarë nga kjo agjenci e zbatimit të ligjit.
Vetëm në gjashtë muaj Policia e Shtetit arriti:
-të menaxhojë me sukses situatën dramatike të përmbytjeve në Shkodër dhe Lezhë,
-të marë pjesë dhe të plotësojë me profesionalitet dhe përkushtim të lartë detyrimet e Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit në përgjigjet ndaj kapitujve për drejtësinë, sigurinë të pyetësorit të Komisionit Europian për marrjen e statusit kandidat për anëtarësim të plotë të vendit në BE,
-luajti një rol vendimtar në përmbushjen e të gjitha kritereve të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave,
-menaxhoi me sukses të plotë situatën e rendit dhe të sigurisë gjatë një periudhe të stërzgjatur protestash, tubimesh, bllokimesh dhe tentativë për bllokime në akset rrugore
-u angazhua me rezultate të ndjeshme në një fushatë parandaluese dhe shtrënguese kundër kultivimit të kanabis sativa
-ndërmori një nga reformat më të thella strukturore në historinë e Policisë së Shtetit.
Duke u ndalur tek veprimtaria e Policisë së Shtetit në luftë kundër kriminalitetit, Ministri Basha nënvizoi se nga statistikat është qartë se forca e zbuluese e policisë është rritur me një vlerë absolute, duke zbuluar 1260 raste më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.
-Kjo natyrisht flet për një rritje të efektivitetit të punës dhe është një tregues i dukshëm në luftën për parandalimin e krimeve. Rritje domethënëse pamë në zbulimin dhe goditjen e krimit të organizuar, korrupsionit, krimit ekonomiko-financiar, narkotikëve, pastrimit të parave dhe trafiqeve të paligjshme.
Pavarësisht kësaj, Ministri Basha kërkoi një një vëmëndje më të madhe të punës së strukturave dhe punonjësve të policisë në qendër e qarqe për t'iu kundërvënë më mirë dhe më efektivisht veprimtarive kriminale me forma, metoda dhe mjete ligjore si dhe duke rritur veprimtarinë informative, zbuluese dhe parandaluese.
Në analizën e veprimtarisë së Policisë së Shtetit për gjashtëmujorin e parë të vitit 2010, Ministri Basha u ndal në mënyrë të veçantë edhe në faktin se realizimi i detyrave nga ana e Policisë së Shtetit për plotësimin e kërkesave të Komisionit Europian është vendimtar për vendimin pozitiv që pritet të merret së shpejti për lëvizjen pa viza të qytetarëve shqiptarë në zonën Schengen.
-Është e domosdoshme që edhe për gjashtëmujorin që vjen, qytetarët dhe taksapaguesit të gjejnë tek Policia e Shtetit jo vetëm mbrojtësin e lirive, dhe të drejtave të tyre dhe një vegël efikase në goditjen e krimit,por edhe një vlerë të shumfishuar në rrugën drejt plotësimit të aspiratave tona kryesore, sikurse janë lëvizja e lirë brenda këtij viti dhe integrimi i plotë i vendit në BE,-pëfundoi fjalën e tij Ministri i Brendshëm Z. Lulzim Basha.








