Ministria e Brendshme ka plotësuar me sukses detyrimet e dala nga Udhërrëfyesi i Bashkimit Evropian për Liberalizimin e Vizave.
Më poshtë po paraqesim zbatimin e detyrimeve për çdo bllok, në mënyrë të përmbledhur, duke përmendur vetëm arritjet kryesore:
Blloku 1 - Siguria e Dokumentave:
Pasaportat biometrike janë një nga detyrimet kyçe të udhërrëfyesit, pasi vetëm qytetarët e pajisur me pasaporta biometrike do të kenë të drejtën të udhëtojnë pa viza drejt hapësirës Shengen. Nga regjistrat e vjetër manualë, në një sistem të kompjuterizuar dhe të sigurt të dhënash; nga seriali i çertifikatave në karta identiteti multifunksionale. Të rëndësishme janë edhe aspektet e sigurisë, së vetë dokumenteve dhe qendrës së personalizimit, programet antikorrupsion, procedimi i menjëhershëm i të dhënave të pasaportave të humbura, të cilat mbyllin plotësimin e të gjitha detyrimeve për këtë bllok.
Blloku 2 - Migrimi, menaxhimi i kufirit dhe ripranimi
Në këtë bllok, ka patur përmirësime thelbësore nëpërmjet vënies në funksionim të teknologjive të reja për menaxhimin e integruar të kufijve, siç është instalimi dhe funksionimi i plotë i sistemit TIMS, në të 24 Pikat e Kalimit Kufitar (PKK).
Me mbështetjen e ICITAP ka përfunduar dhe krijimi i moduleve për e-visa dhe e-leje qëndrimi, të cilat janë instaluar në sistemin TIMS dhe aktualisht janë në funksion dhe përdorim nga Policia Kufitare dhe e Migracionit dhe strukturat e ministrisë së brendshme, Zyrat e Punës dhe shërbimet konsullore të Ministrisë së Jashtme, të cilave iu është mundësuar aksesi në këtë sistem. Ka përfunduar dhe është vënë në funksion të plotë Regjistri elektronik i të huajve me qëndrim të rregullt në Shqipëri.
Implementohen me sukses dhe pa asnjë vërejtje të gjitha marrëveshjet e ripranimit me Bashkimin Europian.
Është unifikuar sistemi i kontrollit në PKK sipas parimit ''one-stop-shop'', që përfshin kontrollin e dokumentacionit, doganor dhe fitosanitar. Është ngritur dhe funksionon Qendra Ndërinstitucionale Operacionale Detare për kontrollin e kufirit detar. Janë miratuar dhe janë tashmë në zbatim të gjitha aktet ligjore dhe nënligjore për kontrollin dhe survejimin e kufirit, mbi bazën e strategjisë dhe planit të veprimit për Menaxhimin e Integruar të Kufirit. Gjithashtu, janë miratuar të gjitha aktet ligjore e nënligjore për zbatimin e ligjit mbi azilin dhe Planin e veprimit për zbatimin e ligjit për të huajt.
Ka nisur puna në Qendrën e re të parametrave Europiane për pritjen dhe qëndrimin e emigrantëve me qëndrim të paligjshëm në vendin tonë.
Ka përfunduar instalimi i 63 lexuesve të rinj optikë për kontrollin dhe leximin e pasaportave biometrike në 24 PKK. Funksionon plotësisht në 12 drejtori të policisë në qarqe dhe në 8 Drejtoritë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit, sistemi i analizës së informacionit kriminal MEMEX. Në të gjitha PKK ka një lidhje në kohë reale me bazën e të dhënave të INTERPOL.
Ka përfunduar procesi i instalimit të paisjeve për leximin automatik të targave të makinave dhe është mundësuar lidhja me bazën e të dhënave për automjetet e vjedhura, si dhe është instaluar sistemi i monitorimit me kamera në shumë pika të kalimit kufitar. Blerja e paisjeve për kontrollin e drogave, Videoscope, me 2 drejtime leximi ka rritur aftësitë e policisë për detektimin e substancave narkotike. Në aeroportin e Rinasit funksionon një sistem ultramodern i identifikimit dhe analizës automatike të të dhënave biometrike të imazhit facial. Ndërsa në Tiranë funksionon dhoma operacionale e Policisë kufitare dhe të Migracionit që ndërlidhet në kohë reale me imazhe dhe të dhëna elektronike me të gjitha instalimet e policisë kufitare dhe agjensive të tjera që operojnë në kufi.
Blloku 3 - Rendi publik dhe siguria
Prioritet i rëndësishëm ka qenë dhe mbetet zbatimi i strategjisë kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe terrorizmit, sipas plan veprimit me masat për çdo institucion sipas një kalendari të qartë, që në thelb sigurojnë ndërtimin dhe funksionimin e mekanizmave të nevojshëm. Në vijim të miratimit dhe hyrjes në fuqi të ligjit të ri kundër krimit të organizuar (antimafia), zbatimi i tij, strategjisë dhe planveprimit monitorohet në mënyrë sistematike nga Komiteti Ndërinstitucional për Masat kundër Krimit të Organizuar, Trafiqeve dhe Terrorizmit.
Është rinovuar moratoriumi për mjetet e shpejta lundruese ç?ka garanton në vazhdimësi efektet e duhura në luftën kundër krimit të organizuar.
Rezultatet në luftën kundër krimit
Përsa i përket rezultateve të përgjithshme lidhur me masat kundër krimit financiar, janë konfiskuar një sërë shumash në llogari bankare dhe tashmë pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri kundër krimit të organizuar pritet që rezultatet të njohin ngritje substanciale.
Në luftën kundër trafikimit të drogës, është në zbatim strategjia dhe plan veprimi përkatës.
Shqipëria nuk është më rrugë tranziti e preferuar e drogës.
Policia e Shtetit ka ndërmarrë me sukses një numër operacionesh të përbashkëta me policitë e vendeve fqinje dhe ato të Bashkimit Evropian.
Gjatë vitit 2009 në tërësi dhe në veçanti fillimi i vitit 2010, përdorimi i teknikave speciale të hetimit, pra i hetimit aktiv ka qenë 5 fish më i lartë se hetimi reaktiv.
Në të 12 qarqet e vendit është instaluar dhe funsionon sistemi MEMEX i analizës së informacionit kriminal me oficerë policie të trajnuar për ta operuar atë. Bazuar në informacionin e siguruar nga aksesi në sistemin MEMEX është kryer për herë të parë nga Drejtoria e Analizës së Informacionit Kriminal vlerësimi mbi rrezikun e aktivitetit të grupeve kriminale për vitin 2008 dhe për 2009.
Lufta kundër korrupsionit është përqëndruar si në parandalimin e tij nëpërmjet masave rregullatore, si shërbimet one-stop-shop, shërbimet on-line, etj, ashtu edhe në bashkëpunimin ndërmjet agjencive për identifikimin, kapjen dhe dënimin e të gjitha akteve korruptive. Vazhdon zbatimi i strategjisë dhe plan-veprimit të integruar anti-korrupsion. Gjatë periudhës nëntor 2009 - janar 2010 janë identifikuar një sërë veprash penale që kanë të bëjnë me korrupsionin dhe shpërdorimin e detyrës.
Sa i përket rekomandimeve të grupit GRECO, janë duke u ndjekur me prioritet. Në kuadër të bashkëpunimit gjyqësor, miratimi i Ligjit për bashkëpunimin gjyqësor me autoritetet e huaja në çështjet penale dhe fillimi i negociatave për nënshkrimin e marrëveshjes me EUROJUST për bashkëpunimin gjyqësor, pritet të sjellin gjithashtu një përmasë të re bashkëpunimi ndërkombëtar me partnerët tanë.
Është duke u zbatuar me rigorozitet strategjia kombëtare për luftën kundër trafikimit të qënieve njerëzore dhe fëmijëve sipas planveprimeve përkatëse tashmë të miratuara. Janë një sërë masash të ndërmarra në këtë kuadër, të cilat kanë çuar në heqjen nga lista të Shqipërisë si vend tranzit për trafikimin e qënieve njerëzore, dhe në menaxhimin më të kujdesshëm të këtij fenomeni në vend.
Ka vazhduar puna e agjencive të zbatimit të ligjit për hetimin e akteve kriminale të trafikimit dhe ndjekjen penale të personave përgjegjës për kryerjen e këtyre krimeve. Janë organizuar operacione të policisë për trafikimin e grave dhe operacione kundër përdorimit për prostitucion, ushtrimit të prostitucionit dhe posedimit të lokaleve për prostitucion, gjatë të cilëve janë arrestuar një sërë personash. Janë organizuar operacione kundër lypjes në Qarkun e Tiranës dhe nga dhjetori 2009 është duke u zbatuar nga policia, plani operativ kundër lypjes dhe shfrytëzimit të fëmijëve. Ka pasur përmirësime të kuadrit ligjor në këtë drejtim, veçanërisht, përsa i përket masave në drejtim të mbrojtjes për viktimat e trafikimit. Miratimi nga Kuvendi së fundmi i ligjit ''Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore'' përmirëson e ndihmën financiare që viktimat e trafikimit përfitojnë gjatë dhe pas largimit nga institucionet e asistencës sociale deri në punësimin e tyre. Gjithashtu, ligji i ri për parandalimin dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikimin nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë parashikon krijimin e një fondi të veçantë për parandalimin e kriminalitetit, që do shërbejë për të rritur shërbimet për viktimat dhe kompensimin e tyre.
Ka pasur një rritje të fondeve për qendrën kombëtare të pritjes në vitin 2010. Ndërkohë është miratuar një paketë e veçantë financiare për të ndihmuar strehëzat e koalicionit anti trafik. Janë ndërtuar njësi për mbrojtjen e fëmijëve në nivel bashkiak,të cilat janë përgjegjëse për identifikimin, mbrojtjen, ndihmën dhe integrimin e kësaj kategorie të fëmijëve.
Komitetet rajonale anti-trafik kanë vazhduar në mënyrë sistematike mbledhjet e tyre në komunitetet ku ato veprojnë për të diskutuar raste konkrete të shfrytëzimit ose për të asistuar persona në nevojë. Në bashkëpunim me OSBE-në janë organizuar trajnime të anëtarëve të këtyre Komiteteve në 12 qarqe. Gjithashtu, vazhdon marrja e masave për parandalimin e këtij fenomeni nëpërmjet organizmit të fushatave ndërgjegjësuese, edukimit, punësimit, regjistrimit dhe ndërtimit të një sistemi për të parandaluar punën e fëmijëve.
Është punuar intensivisht në drejtim të përmirësimit të procedurave të raportimit për identifikimin e rasteve të trafikimit. Funksionimi dhe menaxhimi i bazës së të dhënave për viktimat e trafikimit shërben për të patur një vizion më të qartë lidhur me situatën e trafikimit në Shqipëri dhe identifikimin e formave të shfrytëzimit të viktimave të trafikimit.