MOI

Historia

Print PDF

Historik i shkurtë i Ministrisë së Brendshme të shtetit shqiptar, 1912 - 2007

 

Ministria e Punëve të Brendshme e shtetit shqiptar është krijuar më 4 dhjetor 1912, ditë kur u miratua kabineti i Ismail Qemalit nga Kuvendit Kombëtar në Vlorë.

Por organizimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme në vitet 1913 ? 1920 do të ishte i vështirë për shkak të rrethanave në të cilat kalonte Shqipëria. Edhe Delegacia e Punëve të Brendshme me qendër në Durrës në vitet 1918 ? 1920, nuk arriti të funksionojë apo të krijojë një model qeverisje.

Pas Kongresit të Lushnjes, qeveria vendosi thirrjen e organizatorëve të huaj për organizimin e administratës. Për postë-telegrafat, financat, bujqësinë, shëndetësinë, administratën, kadastrën, xhandarmërinë, policinë, drejtësinë dhe arsimin e mesëm, u vendos të thirreshin specialistë austriakë.

Ministria e Punëve të Brendshme kishte në varësi 10 prefektët që ishin autoriteti më i lartë vendor.

 

Organizimi strukturor i MPB-së në vitet 1920 - 1925

 

Nga fillimi 31 janari 1920 e deri më 31 dhjetor 1921 Ministria e Punëve të Brendshme funksiononte, si më poshtë: Zyra e këshilltarit, Kryesekretarinë, Drejtoria e Shtetit Civil, Drejtoria e Jetëshkrimit, Drejtoria e Shtypit.

Pasi ministër i Punëve të Brendshme u bë sërish Ahmet Zogu, më 1 janar 1922 u bë riorganizimi i MPB e cila ndahej si vijon: Sekretaria e Përgjithshme, Seksioni I, Seksioni II, Seksioni III, Seksioni IV (Shteti Civil), Seksioni V (Shtypi), Zyra Sekrete.

Duke qenë se Ministria e Punëve të Brendshme ishte akoma pa një ligj organik, më 30 maj 1923 MPB-ja i dërgoi kryesisë së Këshillit të Ministrave ligjin organik të MPB-së, në bazë të të cilit kjo e fundit përbëhej nga: Këshilli i Ministrisë, Sekretaria e Përgjithshme, Sekretaria Sekrete, Sekretaria Private, Seksioni I, Seksioni II, Seksioni III, Seksioni IV, Inspektoria.

  • Sekretaria e përgjithshme formohej prej sekretarit të përgjithshëm e kopistit. Sekretari i përgjithshëm përgjigjej për verifikimin e administratës, ndihmonte ministrin dhe plotësonte çdo vepër të urdhëruar prej tij, përgatiste të gjitha projektligjet, rregulloret e nevojshme, librin e qarkoreve, rregullimin e korrespondencës kryesore midis ministrit dhe ministrave të tjerë dhe nënshkruante qarkoret për prefektët. Ai kryesonte Këshillin e Ministrisë, inspektonte ministrinë dhe ishte përgjegjës para ministrit.

  • Sekretaria Sekrete përbëhej prej nëpunësit e ndihmësit. Nëpunësi quhej sekretar i shifrës. Ai siguronte gjithë korrespondencën sekrete të MPB-së, ruante çelësat e shifrës, kthente shifrat në letra dhe e kundërta. I paraqiste detyrimisht ministrit çdo shkresë sekrete, të cilat për dërgim duhej të kishin patjetër firmën e tij. Ndihmësi i sekretarit protokollonte e kopjonte aktet rezervante dhe mbante dosjet në rregull.

  • Sekretaria Private formohej prej sekretarit, i cili siguronte korrespondencën private të brendshme e të jashtme, si dhe gjithë veprimet e tjera të ministrit dhe caktonte gjithë veprimet kësodore të ministrit, si dhe vizitat e tij.

  • Seksioni I përbëhej prej drejtorit, llogaritarit, llogaritar - arkivist, kopist dhe për protokollin e përgjithshëm një numëratori. Drejtori siguronte korrespondencën dhe rregullin administrativ dhe ndiqte të gjitha veprimet zyrtare të prefekturave Korçës, Gjirokastër, Vlorë, Elbasan, përfshirë këtu edhe çështjen e emërimeve, jetëshkrimeve, pushimeve, transferimeve, qortimeve, ndëshkimeve.

  • Seksioni II formohej prej drejtorit, sekretarit, protokollist - arkivist, kopist. Ky ishte për Shkodrën, Kosovën, Durrës, Beratin dhe Nënprefekturën e Tiranës. Rreshtonte në MPB të gjitha lutjet, etj, si dhe përgatiste rregullisht librin e përvitshëm mbi të gjithë administratën.

  • Seksioni (Shteti Civil) formohej prej drejtorit, sekretarit e kopistit. Drejtori rregullonte gjithë veprimin e shtetit civil e të pasaportave të shtetit dhe siguronte mirëzbatimin e ligjeve dhe të rregullave për këtë qëllim, si dhe të rreshtonte korrespondencën me zyrat e shtetit civil me prefekturat e me ministritë e ndryshme, të përgatiste urdhrat e emërimit dhe pushimit ose zhvendosjes së nëpunësve të vet, të formulonte urdhrat e emërimit e pushimit, të formulonte urdhrat e emërimit e pushimit, leje të nëpunësve, formulimin e statistikave të rregullta të shtetit (lindje, vdekje, martesa, etj) dhe të merrte masat e duhura për një regjistrim të saktë të ministrisë (i shtohej edhe rekrutimi i shtetasve).

  • Seksioni IV (Shtypi) përbëhej prej drejtorit, sekretarit e kopistit. Drejtori studionte çdo gazetë që botohej në vend dhe jashtë dhe lajmëronte ministrin e Punëve të Brendshme ose të tjerët, sipas temës. Drejtori administronte edhe -Fletorja Zyrtare- dhe u jepte gazetave lajme të brendshme, si dhe kishte të drejtën e përgënjeshtrimit.

  • Inspektoria formohej prej dy inspektorësh që inspektonin prefekturat, nënprefekturat, krahinat, zyrat e shteti civil, xhandarmërinë, bashkitë, institutet.

  • Këshilli i Ministrisë: kryesohej nga sekretari i përgjithshëm dhe përbëhej nga drejtorët e seksioneve. Vendoste emërimet, gradimet, transferimet e nëpunësve të MPB-së përmes drejtorisë së qendrës. Vendimet merreshin me shumicë votash, por miratoheshin prej ministrit.

 

 

Ministria e Punëve të Brendshme vitet 1925 - 1939

 

Në vitin 1925 MPB u thjeshtësua në: Seksioni I, Seksioni II, Zyra Sekrete. Në vitin 1926 organizatorët britanikë vendosën një modelim të thjeshtë të ministrisë. Pasi nënprefekturat u lidhën drejtpërdrejt me MPB-në, u ngritën: Drejtoria e Departamentit Jug e Qendër, Drejtoria e Departamentit Veri e Lindje dhe Shtetit Civil, Drejtoria e Shtypit, Zyra Sekrete.

Në vitin 1928 Ministria e Punëve të Brendshme, pësoi një riorganizim të ri me ligjin e 11 qershorit 1928. Administrata qendrore e MPB-së përbëhej nga:

  • -Sekretaria e Përgjithshme.

  • -Drejtoria e Korrespondencës.

  • -Drejtoria e Shtetit Civil, Statistikës, Emigracionit, e -Fletores Zyrtare-.

  • -Zyra Sekrete e Private.

  • -Inspektoria dhe Llogaritari.

Në varësi të ministrisë, por jo brenda saj ishin edhe policia, xhandarmëria, dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Shëndetësisë.

Sipas ligjit të mësipërm organik të vitit 1928, sekretari i përgjithshëm ishte autoriteti më i lartë i administratës, ndërsa kishte të drejtën e nënshkrimit të akteve në mungesë të ministrit.

 

 

MPB-ja gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore, 1939 - 1945

 

MPB-ja gjatë kohës së Luftës së Dytë Botërore zhvilloi detyra të shumta të karakterit politik, administrativ, shoqëror, sigurimi publik, shëndetësor, urbanistik, etj. Meqenëse tashmë u fillua një organizim i ri, ministria përbëhej prej 11 zyrash:

  • -Sekretatia e Përgjithshme

  • -Drejtoria e Përgjithshme e Policisë

  • -Drejtoria e Përgjithshme e Shëndetësisë

  • -Drejtoria e Kryqit të Kuq

  • -Drejtoria e Personelit

  • -Drejtoria e Administratës Civile

  • -Drejtoria e Enteve Komunalë

  • -Drejtoria e Shërbimeve të Inspektimit

  • -Drejtoria e Llogarisë dhe Ekonomatit

  • -Drejtoria e Zyrës Politike (shërbimi sekret)

  • -Drejtoria e Zyrës Qendrore për Ndërtimit dhe Urbanistikës

  • -Drejtoria e Zyrën Qendrore të Kapitenerive të Portit.

Nga këta, Zyra e Punëve të Përgjithshme dhe e instituteve të prevencionit e ndëshikimit merrej me shoqata e shoqëri, moralin publik, fatkeqësi publike, institute ndëshkimi, personeli i rojeve. Zyra e Inspektorisë së përgjithshme, mbikëqyrte punën e zhvilluar prej inspektorëve krahinorë.

 

 

Ministria e Punëve të Brendshme gjatë viteve 1944 - 1991

 

Përvoja e këtyre viteve në drejtim të Ministrisë së Punëve të Brendshme, do të shkatërrohej në vitin 1944, kur qeveria komuniste e dalë nga mbledhja e Përmetit (maj 1944), do të krijonte Ministrinë e Punëve të Brendshme sipas modeleve sovjetike, duke e synuar në radhë të parë ta kthente atë në një ministri policie për ndjekjen dhe masakrimin e kundërshtarëve politikë. Morën fund në këtë kohë organizimi i xhandarmërisë, policisë, shërbimit sekret, etj. Në vitin 1945, MPB kishte 3 drejtori:

  • -Drejtoria e Administratës

  • -Drejtoria e Personelit

  • -Drejtoria e Policisë

Deri në këtë kohë shërbimi informativ komunist i quajtur Drejtoria e Mbrojtjes së Popullit, varej drejtpërdrejt nga Ministria e Mbrojtjes Kombëtare.

Një vit më vonë ai do të DMP do të shkrihej dhe do të kalonte në MPB me emrin Drejtoria e Sigurimit të Shtetit.

MPB-ja e pas vitit 1944, si institucion me modelim sovjetik, ndryshonte shumë nga ajo e mëparshmja, duke u identifikuar më shumë me një instrument dhune sesa pushteti civil.

Ajo përgjithësisht deri në vitin 1990 kishte tri drejtori kryesore:

  • -Drejtoria e Policisë.

  • -Drejtoria e Kufirit.

  • -Drejtoria e Sigurimit të Shtetit.

Drejtoria e Hetuesisë për një pjesë të madhe kohe ka qenë në përbërje të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Në krye të tyre qëndronte një person ushtarak që ishte ose jo zëvendësministër.

Në Platformën e Byrosë Politike të KQ të PPSH-së më 1985, organet e punëve të brendshme të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë cilësoheshin -një armë e fuqishme e diktaturës së proletariatit, një repart politik dhe ushtarak i saj që udhëhiqen nga Partia e Punës e Shqipërisë për të zbuluar dhe shpartalluar veprimtarinë armiqësore dhe keqbërëse të armiqve të brendshëm e të jashtëm, për të mbrojtur fitoret e revolucionit e atdheun socialist, për të garantuar triumfin e çështjes së komunizmit-. Ky ishte dhe thelbi i Ministrisë së Punëve të Brendshme gjatë viteve të diktaturës.

 

Ministria në vitet 1991 - 2007

 

Në majin e vitit 1991 për herë të parë në historinë e qeverive shqiptare në vite, vjen një ministri e re. Në vend të Ministrisë së Punëve të Brendshme, u krijuan Ministria e Rendit Publik dhe Ministria e Komitetit të Sigurimit Kombëtar. Shqipëria u bë i dyti vend në Europë që praktikoi modelin e Ministrisë së Rendit Publik.

Në vitin 1994 u krijua Ministria e Brendshme, e cila përfshinte brenda saj edhe pushtetin vendor. Në vitin 1998 me shkrirjen saj u krijua Ministria e Rendit Publik dhe Ministria e Pushtetit Vendor. Më 2005 u rikrijua Ministria e Brendshme.

 

Ministrat e Brendshëm nga Mufit Libohova te Bujar Nishani

  • Mufit Libohova 1912 - 1913

  • Esat Toptani 1913

  • Hasan Prishtina 1913

  • Fejzi Alizoti 1913 - 1914

  • Esat Toptani 1914

  • Aqif Pashë Elbasani 1914

  • Shahin Dino 1914 - 1916

  • Mehdi Frashëri 1918 - 1920

  • Ahmet Zogu 1920

  • Mehdi Frashëri 1920 - 1921

  • Sulejman Delvina 1921

  • Bajram Fevzi 1921

  • Luigj Gurakuqi 1921

  • Rauf Fico 1921

  • Ahmet Zogu 1921 - 1924

  • Shefqet Vërlaci 1924

  • Abdurrahman Dibra 1924

  • Rexhep Shala 1924

  • Abdurrahman Dibra 1924

  • Ahmet Zogu 1925

  • Ceno Kryeziu 1925

  • Musa Juka 1925 - 1927

  • Abdurrahman Dibra 1927 - 1928

  • Kostaq Kotta 1928 - 1930

  • Musa Juka 1930 - 1935

  • Et-hemToto 1935 - 1936

  • Musa Juka 1936 - 1939

  • Zef Kadarja 1939

  • Maliq Bushati 1939 - 1941

  • Mustafa Kruja 1941 - 1943

  • Fiqri Dine 1943

  • Mark Gjon Markaj 1943

  • Kolë Bibë Mirakaj 1943

  • Xhaferr Deva 1943 - 1944

  • Fiqri Dine 1944

  • Ibrahim Biçakçiu 1944

  • Haxhi Lleshi 1944 - 1946

  • Koçi Xoxe 1946 - 1948

  • Nesti Kerenxhi 1948

  • Mehmet Shehu 1948 - 1954

  • Kadri Hazbiu 1954 - 1980

  • Feçorr Shehu 1980 - 1982

  • Hekuran Isai 1982 - 1989

  • Simon Stefani 1989 - 1990

  • Hekuran Isai 1990 - 1991

  • Gramoz Ruçi 1991

  • Aredin Shyti 1991 (MRP)

  • Bajram Yzeiri 1991

  • Vladimir Hysi 1991 - 1992

  • Bashkim Kopliku 1992 - 1993

  • Agron Musaraj 1993 - 1996 (4 dhjetor 1994 MB)

  • Halit Shamata 1996 - 1997

  • Belul Çelo 1997

  • Ali Kazazi 1997

  • Neritan Ceka 1997 - 1998

  • Perikli Teta 1998 (MRP)

  • Petro Koçi 1998 - 1999

  • Spartak Poçi 1999 - 2000

  • Ilir Gjoni 2000 - 2002

  • Stefan Çipa 2002

  • Luan Rama 2002 - 2003

  • Igli Toska 2003 - 2005

  • Sokol Olldashi 2005 - 2007 (MB)

  • Bujar Nishani 2007 - 2009(Shtator 2009)

  • Lulzim Basha 2009 - vazhdon

 

Emërtesat e ministrisë në vite:

  • -Ministria e Punëve të Brendshme 1912 - 1914

  • -Delegacia e Punëve të Brendshme 1918 - 1920

  • -Ministria e Punëve të Brendshme 1920 - 1991

  • -Ministria e Rendit Publik 1991 - 1994

  • -Ministria e Brendshme 1994 - 1998

  • -Ministria e Rendit Publik 1998 - 2005

  • -Ministria e Brendshme 2005 - vazhdon

 

Godinat e Ministrisë:

  • -Për periudhën 1920 - 1931 ka qenë aty ku është sot biblioteka e vjetër kombëtare

  • -Për periudhën 1931 - 1944 ka qenë aty ku është sot Ministria e Bujqësisë

  • -Nga viti 1945 vazhdon të jetë në godinën ku është sot

 

Lajmet e fundit

(09/03/10) Shqipëria, vend themelues i Akademisë Ndërkombëtare Antikorrupsion. Dt 03.09.2010

Në Vjenë të Austrisë u zhvillua konferenca përuruese e themelimit të Akademisë Ndërkombëtare Antikorrupsion, ku Shqipëria ishte e ftuar si një nga 25 vendet themeluese. -Ky është një vl...
Lexo me teper

(08/28/10) Ministri i Brendshëm Z. Lulzim Basha mori pjesë në Forumin e 10 të Salzburgut. Dt.28.08.2010

Ministri i Brendshëm Z. Lulzim Basha në takimet që ka zhvilluar gjatë Forumit të 10 të Salzburgut në Austri, me disa prej homologëve të vendeve anëtare të Bashkimit Europian ka marë garanc...
Lexo me teper

(08/27/10) 1 milion aplikime për pasaporta biometrike. Dt 27.08.2010

Ministria e Brendshme dëshiron të ju bëjë të ditur se sot u regjistrua aplikimi i njëmiliontë për pasaportë biometrike. Ritmet e aplikimit për pasaporta biometrike kanë tejkaluar edhe paras...
Lexo me teper

(08/26/10) Ministri i Brendshëm Z. Lulzim Basha u takua sot me familjarë të policëve të rënë në detyrë që po kryejnë pushimet në shtëpinë e pushimit të Ministrisë së Brendshme. Dt.26.08.2010

Ministri i Brendshëm Z. Lulzim Basha u takua sot në Durrës me disa familjarë të punonjësve të Policisë së Shtetit të rënë në krye të detyrës të cilët janë duke kryer pushimet në s...
Lexo me teper

(08/26/10) Dekorohet me Medaljen e Mirënjohjes oficeri ndërlidhës britanik Z. Ben Swanson. Ministri Basha vlerëson bashkëpunimin e Policisë së Shtetit me SOCA-n. Dt.26.08.2010.

Ministri i Brendshëm Z. Lulzim Basha mori pjesë sot në ceremoninë e dekorimit me Medaljen e Mirënjohjes nga Presidenti i Republikës të oficerit ndërlidhës britanik në Shqipëri Z. Ben Swanso...
Lexo me teper

Foto Promocionale


Liberalizimi Vizave

Informacione


Telefononi pa pagese
0800 12 12
Raportoni rastet e trafikimit te qenieve njerezore


Denonconi abuzimet nga punonjësit e Policisë së Shtetit:

Zyra e Informacionit dhe Ankesave 0800 90 90 

Kontaktoni:

shkb@moi.gov.al

FAX: +355 42 271 735

Portali Qeveritar i Republikës së Shqipërisë

Kontribuoni


Ndihmë Familjeve të punonjësve të Policisë të rënë në krye të detyrës

LlogariaBankare

Nr.0100404657

RAIFFEISEN BANK