Ministri i Brendshëm Z. Lulzim Basha, gjatë një fjalimi në Konferencën Kombëtare për Sigurinë në Komunitet, parashtroi disa detyra të veçanta për rikonceptimin e punës së Policisë së Shtetit në bazë të strategjisë së policimit në komunitet.-Të rikonceptojmë të gjitha komisariatet e policisë anembanë vendit jo si pika mbledhjeje, reparte, qendra shpërndarjeje, por në radhë të parë si qendra pritjeje për qytetarët me të gjitha lehtësitë ku qytetari të ndihet i mirëpritur nëse vjen për të denoncuar një shkelje apo për të paraqitur një problem,- u shpreh Basha.
Ministri Basha parashtroi gjithashtu nevojën e bashkëpunimit të ngushtë të Policisë së Shtetit me shërbimet sociale, kërkimin e ndihmës së punonjësve socialë apo psikologëve për referimin sa më mirë të problemeve të paraqitura nga qytetarët.
-Bashkëpunimi me shërbimet sociale i shërben rolit multidimensional që ka sot policia në demokracitë e Bashkimit Europian,-theksoi Basha.
Ministri Basha paraqiti si një detyrë të rëndësishme për drejtuesit e policisë në qarqe që krahas kryerjes së detyrave përkatëse të rivlerësojnë rolin e tyre dhe të konsiderojnë pjesë të pandarë të aktivitetit, kontaktin e organizuar me komunitetin, në shkolla në ambjente të tjera, kontakt i cili duhet të ketë në qendër qytetarin, shqetësimet dhe problemet specifike të tij.
Duke vlerësuar komunikimin e vazhdueshëm dhe shumë të mirë të Policisë së Shtetit me përfaqësuesit e pushtetit vendor, Ministri Basha e cilësoi këtë bashkëpunim si parakusht për zhvillimin dhe forcimin e mëtejshëm të policimit në komunitet.
-Duke ju përgëzuar për këtë praktikë të komunikimit dhe bashkëpunimit të shkëlqyer, dëshiroj të përsëris mesazhin tim se ky bashkëpunim duhet dhe do të vazhdojë në të gjitha drejtimet, pasi vetëm mbi këtë bashkëpunim mund të bazohet strategjia e policimit në komunitet dhe çdo strategji tjetër që ka për qëllim shtrirjen e rolit të Policisë së Shtetit për parandalimin e krimit dhe përmirësimin e sigurisë në ambjentet ku ajo vepron,-deklaroi Ministri Basha.
Kreu i Delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë Z. Helmut Lohan, i pranishëm në konferencë, theksoi gjithashtu nevojën e thellimit të bashkëpunimit mes policisë dhe autoriteteve të pushtetit vendor, duke e paraqitur edhe si një ftesë të qartë të mbështetur nga Komuniteti Europian.
-Dua të ju ftoj që të vendosni mbi çdo gjë tjetër sigurinë e komunitetit, ta vendosni këtë siguri mbi të gjitha debatet apo diskutimet politike që mund të keni në zonat e qeverisjes vendore,- deklaroi ambasadori Lohan, duke nënvizuar se bashkëpunimi për të zgjidhur shqetësimet e përbashkëta ndihmon në arritjen e zgjidhjeve praktike, krijon një mjedis të sigurt për bizneset dhe ekonominë e vendit dhe në të njëjtën kohë realizon një zhvillim të mirë dhe harmonik i marrëdhënieve brenda zonave të veçanta të banimit.
Në Konferencën Kombëtare për Sigurinë në Komunitet morën pjesë edhe zv.ministrat e Brendshëm Z. Ferdinand Poni dhe Z. Avenir Peka, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Z. Hysni Burgaj, drejtues të tjerë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe drejtuesit e policisë në qarqe, drejtues të organeve të pushtetit vendor nga i gjithë vendi, përfaqësues të organizatave joqeveritare dhe të misioneve të huaja që asistojnë policinë shqiptare.









