Mbështetja për liberalizimin e vizave dhe perspektivën europiane të Shqipërisë janë bërë pjesë e një memorandumi mirëkuptimi, nënshkruar në Vjenë mes Shqipërisë dhe Austrisë.Memorandumi i mirëkuptimit lidhur me forcimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë së brendshme u nënshkrua nga Ministri i Brendshëm Z. Lulzim Basha dhe Ministrja e Brendshme e Austrisë Znj. Maria Fekter.
Basha dhe Fekter nënshkruan gjithashtu edhe një marrëveshje tjetër mes Shqipërisë dhe Austrisë mbi ndihmën e ndërsjelltë në rast të katastrofave dhe fatkeqësive të mëdha. Në këtë kontekst Basha shprehu edhe falënderimin për ndihmën e qeverisë austriake për përballimin e emergjencës civile të shkaktuar nga përmbytjet natyrore në Qarkun e Shkodrës dhe Lezhës.
Ministri i Brendshëm Z. Lulzim Basha gjatë takimit me Ministren e Brendshme të Austrisë Znj. Maria Fekter informoi mbi progresin e Shqipërisë në fushën e sigurisë së dokumentave, duke sjellë ndërkohë në vëmendje dhe duke falënderuar qeverinë austriake për ndihmën dhe asistencën e vazhdueshme të dhënë në këtë drejtim.
Basha theksoi se rreth 460 mijë aplikime të deritanishme dhe standartet më të larta ndërkombëtare që zotërojnë pasaportat biometrike shqiptare, janë tregues të qartë se Shqipëria është në pozita më të konsoliduara se të gjithë vendet e rajonit, përfshirë vendet që përfituan liberalizimin e vizave me BE fundvitin e kaluar, në fushën e pajisjes së qytetarëve me dokumente të sigurta.
Ministri Basha informoi homologen austriake Fekter edhe mbi instalimin dhe funksionimin në të gjitha pikat e kalimit kufitar në Shqipëri, të një sistemi modern, të unifikuar dhe të ndërlidhur me qendrat kombëtare dhe ndërkombëtare të analizës së informacionit kriminal.
Ministrja Fekter e cilësoi të suksesshëm përparimin e Shqipërisë në lëmin e përmbushjes së kritereve të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave.
-Shqipëria ka bërë shumë përparime në plotësimin e kushteve për heqjen e vizave. Ekipet e ekspertëve janë të bindur dhe kanë vlerësuar suksesin e vendit tuaj lidhur me sigurinë e dokumenteve, e konkretisht me procesin e pajisjes së qytetarëve me pasaporta biometrike. Unë jam e bindur se ky sukses i arritur do të vlerësohet dhe shqiptarët do të lëvizin shumë shpejt pa viza,- deklaroi Ministrja e Brendshme e Austrisë Znj. Maria Fekter.
-Jam i bindur se puna që kemi bërë, e cila do të verifikohet nga ekspertët në muajin Shkurt, do të rezultojë në një vlerësim pozitiv nga KE. Ajo që kam kërkuar në mënyrë të veçantë është që menjëherë pas paraqitjes së opinionit pozitiv nga komisioni, Këshilli i Ministrave ta shqyrtojë pa humbur kohë dhe Ministrja e Brendshme më siguroi për mbështetjen e plotë të saj dhe Austrisë, mbështetje e cila ka qenë e gjithanshme për procesin e liberalizimit të vizave dhe integrimin europian të vendit,-u shpreh Ministri i Brendshëm Z. Lulzim Basha.
Basha dhe Fekter diskutuan gjatë takimit mes tyre edhe për bashkëpunimin dypalësh në luftën kundër krimit të organizuar, luftën kundër trafiqeve të paligjshme, shkëmbimin e përvojave policore të të dy vendeve dhe trajnimin policor, si dhe bashkëpunimin multilateral në kuadër të Konventës për Bashkëpunim Policor në Europën Juglindore.









